Si ndikon stresi në shëndet?
Një reagim i natyrshëm:
Truri ynë është mësuar të skanojë informacione që paraqesin rrezik dhe stresi është një përgjigje automatike e zhvilluar për të na mbrojtur nga rreziqe të perceptuara duke rritur shtypjen e gjakut, energjisë dhe duke na përgatitur të përballemi me problemin. Veçanërisht në këto kohë, ne ndjejmë stres të shtuar sepse po përballemi me sfida që nuk kemi përjetuar më parë. COVID-19 nuk është një rrezik i imagjinuar, por të menduarit e bazuar në frikë dhe ankth mund të çojë në vendime që jo vetëm nuk do na mbajnë të sigurt por dhe mund të përkeqësojnë gjendjen.
Stresi kronik:
Kur stresi fillon të ndërhyjë me aftësinë tënde për të jetuar një jetë normale për një periudhë të zgjatur, ai bëhet edhe më i rrezikshëm. Sa më e gjatë periudha e të ndjerit stres, aq më keq do jetë për mendjen dhe trupin.
Mund të ndihesh i lodhur, të kesh vështirësi për t’u koncentruar ose të irritohesh pa ndonjë arsye të vërtetë. Për më tepër, duke dobësuar sistemin e imunitetit, stresi mund të shkaktojë sëmundje siç janë ato të zemrës, të metabolizmit, diabet e madje edhe vdekje të parakohshme.
Duke reduktuar nivelet e stresit ti jo vetëm se do ndihesh më mirë për momentin, por do të mbrosh shëndetin tënd afatgjatë. Përveç të bërit disa gjëra që me të vërtetë të bëjnë të ndihesh mirë, i/e relaksuar dhe me shpresë çdo ditë, këto janë disa strategji për të reduktuar stresin:
- Identifiko çfarë po e shkakton atë
Monitoro gjendjen tënde mendore gjatë ditës. Në qoftë se ndihesh i/e stresuar shkruaj shkakun, mendimet që ke dhe humorin. Kur e di se çfarë të shqetëson, atëherë mund të zhvillosh një plan për ta adresuar atë. Kjo mund të thotë të vendosësh pritshmëri më të arsyeshme për veten dhe të tjerët ose të kërkosh ndihmë me çfarë të duhet të bësh. Listo të gjitha përkushtimet tuaja, vlerëso prioritetet dhe elimino çdo detyrë që nuk është absolutisht thelbësore.
- Ndërto marrëdhënie të forta
Marrëdhëniet mund të jenë një burim i stresit prej reagimeve të vazhdueshme negative dhe të vrazhda. Por marrëdhëniet mund të shërbejnë edhe për zbutjen e stresit. Kërko ndihmën e anëtarëve të familjes ose shoqërisë duke ua bërë me dije se je duke kaluar një kohë të vështirë. Ata mund të jenë të aftë të të ofrojnë ndihmë praktike dhe mbështetje, ide të dobishme ose thjeshtë një perspektivë të re për t’u përballur me atë që të shkakton stres. Mbaj distancë fizike por jo distancë emocionale.
- Tërhiqu nga situata kur je i/e zemëruar
Para se të reagosh, lejoi vetes kohë për të menduar duke numëruar deri në 10 dhe pastaj rikonsidero. Të ecurit dhe aktiviteti tjetër fizik gjithashtu mund të ndihmojë për t’u qetësuar. Për më tepër, aktiviteti fizik rrit prodhimin e endorfinave që ngrisin dhe përmirësojnë humorin.
- Pusho mendjen tënde
Duke konsideruar se stresi mund të shkaktojë dhe pagjumësi, sigurohu që po bën gjumë të bollshëm dhe të mirë. Sidomos në këtë kohë, qëndro i informuar por kufizo kohën që kalon duke dëgjuar lajme vazhdimisht. Provo që çdo ditë të identifikosh diçka për të cilën je i/e mirënjohës/e: një perëndim, të dëgjuarit muzikë, të biseduarit me një mik apo ushqim në tryezë. Prano se këto janë kohëra të jashtëzakonshme dhe ke durim, dhembshuri dhe kujdes për veten dhe të tjerët.