Mbylljet e shkollave, edhe pse pa asnjë dyshim të domosdosshme për të “sheshuar kthesën” e virusit dhe për të shpëtuar jetë, janë duke kufizuar mundësitë për kontakt të afërt njerëzor që mund të ketë efekte të dëmshme e afatgjata në shëndetin mendor dhe mirëqenien e studentëve. Pra, nga një perspektivë zhvillimore, adoleshëntët janë posaçërisht të ndikuar.
Vendosja e masave për mbajtjen e një distance shoqërore dhe masave të tjera për të qëndruar në shtëpi në mënyrë që të mundet virusi, ka bërë që shumë të rinj të ndihen të irrituar dhe të grabitur nga mundësi të shumëpritura. Imagjino sikur sapo more patentën. Sapo ke filluar të shkosh në takime romantike. Ekipi yt sapo hyri në fazën finale. Mbrëmja e maturës është gati. Por tani, je mbyllur në shtëpi, rreth 30 metra larg prindërve, për një periudhë të pacaktuar.
Megjithatë, përtej zhgënjimit që vjen si pasojë e anullimit të ngjarjeve, distancimi shoqëror mund të ndërhyjë në zhvillimin e nevojave themelore të adoleshëntëve – që evolucionarisht janë të programuar të bëhen sa vjen e më të pavarur nga prindërit, dhe në të njëjtën kohë, sa vjen e më të varur në bashkëmoshatarët e tyre.
Ndryshimet biologjike në adoleshencë, siç është niveli i rritur i receptorëve të oxytocin gjatë pubertetit, rrisin kënaqësinë e shoqërimit me të tjerët. Studimet tregojnë se miqësitë, në veçanti, rrisin sistemet e shpërblimit në trurin e adoleshentit. Prandaj, nuk është surprizuese që relativisht ndaj grupmoshave të tjera, adoleshentët kalojnë më shumë kohë me bashkëmoshatarët e tyre. Në fakt, koha që adoleshentët në shkollë të mesme kalojnë me bashkëmoshatarë është më shumë së dyfyshi i kohës që ata kalojnë me prindërit apo të rritur të tjerë.
Por COVID-19 nuk do t’ia dijë për nevojat shoqërore dhe biologjike të adoleshentëve. Domosdoshmëria e padiskutueshme e distancimit shoqëror ka gjasa të ndërhyjë dhe të lëkundë këto modele zhvillimore në mënyra që mund të ndikojnë dukshëm në shëndetin mendor, sjelljen dhe performancën akademike të adoleshentëve. Këto janë disa ndryshime që prindërit dhe edukatorët mund të venë re:
Së pari, izolimi i adoleshëntëve mund të rrisë shqetësimin psikologjik. Qoftë edhe pa një pandemi globale, adoleshenca është fillimi tipik për çrregullime të shëndetit mendor, siç janë ankthi dhe depresioni. Shtimi i stresit dhe izolimi shoqëror mund të rrisin vulnerabilitetin psikiatrik dhe të përkeqësojnë vështirësitë ekzistuese psikologjike.
Së dyti, mungesa e ndërveprimit sy-më-sy mund të ndikojë negativisht në aftësitë shoqërore të të rinjve, duke përfshirë kuptueshmëri në ulje të shenjave joverbale emocionale.
Së treti, pa shokë/shoqe për t’u shoqëruar, mërzitja mund të çojë në sjellje të rrezikshme.Devijimi dhe thyerja e rregullave, përveçse si një mënyrë sigurimi të një burimi për stimulim, mund të funksionojnë edhe si një mundësi për të shfaqur pavarësi nga prindërit kur distanca fizike nuk është një opsion. Për shembull, hulumtimet e mëparshme kanë treguar se adoleshentët me prindër kontrollues përfshihen në shkallë më të larta të sjelljes së rrezikshme, siç janë pirja e alkoolit apo kopjimi në provime.
Së fundi, duke mos pasur mundësi të përballen me sfida në bashkëpunim me shokët e klasës, ka të ngjarë që perfomanca në shkollë gjithashtu të marrë një goditje. Duke marrë parasysh se një prej arsyeve kryesore që adoleshentët mezi presin të ikin në shkollë është që të kalojnë kohë me shokë e shoqe, motivimi akademik mund të bjerë dukshëm.
Nga pamundësia për të pasur një fund të mënjëhershëm të distancimit shoqëror, është e rëndësishme që edukatorët dhe administratorët e shkollave të mendojnë në mënyrë kritike dhe kreative se si mund të plotësojnë këto nevoja të adoleshentëve pavarësisht kufizimeve të tanishme. Si shkencëtarë zhvillimorë që studiojnë zhvillimin shoqëror dhe emocional të adoleshentëve, ne shpresojmë të ofrojmë disa ide:
Së pari, teknologjia dhe mjetet online mund të sigurojnë mundësi të veçanta që adoleshentët të lidhen me miq dhe shokë klase duke mbajtur distance fizike. Inkurajimi i të rinjve për të krijuar kontent në media sociale (për shembull platforma e videove TikTok), në vend që të përdorin lojëra video vetmitare apo të ndjekin pasivisht foto të të famshmëve, mund të ofrojë një mënyrë që adoleshentët të shndërrojnë mërzinë e tyre në përpjekje bashkëpunuese dhe vetëshprehëse.
Për të promovuar stabilitetin e marrëdhënieve të studentëve dhe për të inkurajuar ndërveprimin e bashkëmoshatarëve gjatë ditës virtuale në shkollë, mësuesit mund të përdorin platformat e videokonferencave për diskutime në klasë dhe detyra në grup.Në mënyrë të ngjashme, studentët mund të përdorin grupe virtuale studimi për të përmbushur nevojat e tyre shoqërore duke arritur edhe progres akademik.
Natyrisht, këto sugjerime supozojnë se studentët kanë qasje të besueshme dhe të qëndrueshme në teknologji, që nuk është e vërtetë për të gjithë. Kjo do të thotë që fleksibiliteti dhe të menduarit jashtë-kutisë janë parësore për plotësimin e nevojave të të gjithë të rinjve dhe promovimin e barazisë arsimore.
Ndërsa kohëzgjatja e masave për të qëndruar në shtëpi rritet, do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për mësuesit të monitorojnë shëndetin fizik dhe mendor të studentëve të tyre. Komunikimi i vazhdueshëm, edhe pse siguron studentët me një sens stabiliteti në mes të pasigurisë mbizotëruese për të ardhmen, studimet tregojnë se afër çereku i studentëve është duke u lidhur më pak se një herë në javë me mësuesit e tyre. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për kontrolle të rregullta apo detyra, përpjekjet e shtuara për të ofruar mbështetje dhe për të siguruar lidhje, ka të ngjarë të shërbejnë në mënyrë pozitive.
Së fundi, duke pasur parasysh se stresi i mësuesve mund të pengojë mirëqenien e studentëve, është thelbësore që mësuesit të merren me kujdesin ndaj vetes dhe të shfrytëzojnë burimet që promovojnë mësimin akademik dhe socio-emocional të studentëve.
Tani gjithashtu mund të jetë koha ideale për të promovuar përfshirjen e adoleshentëve në veprimtari qytetare.Përveç se janë të drejtuar ndaj marrjes së rreziqeve, adoleshëntet dëshirojnë mundësi për të kontribuar në të mirën e përbashkët. Mësuesit mund të japin detyra si për shembull për të shkruar për problemet shoqërore për të cilat studentët janë pasionantë apo për të lexuar për grupe aktiviste të adoleshentëve që janë shfaqur gjatë COVID-19, dhe që janë duke luftuar për qasje të barabartë në kujdes për fëmijët, ushqim, dhe teknologji. Një faqe e quajtur Teens Take Charge, nga New York City, për shembull, ofron mundësi për adoleshentët që të informohen dhe madje të përfshihen në krizën e koronavirusit duke lexuar, shikuar, dhe dëgjuar materiale edukative online.
Adoleshentët janë të uritur për eksplorim, lidhje shoqërore dhe pavarësi; nxitje zhvillimore këto që janë kërcënuar drejtpërdrejt nga po ato masa që janë themelore për shëndetin publik.Prandaj, edhe pse adoleshentët nuk konsiderohen në rrezik të lartë nga perspektiva mjekësore, ata prapë janë duke u përballur me sfida shumë të vërteta shoqërore dhe emocionale.Pavarësisht pasigurisë së përhapur që rrethon të ardhmen, është thelbësore që të kujdesemi për adoleshentët, të jemi empatik ndaj irritimeve të tyre, dhe të sigurohemi që ata kanë burimet dhe mbështetjen e duhur për zhvillim optimal.