Drita që ndriçon në errësirë – Një letër për “Ty – qe je ne Depresion “

  • Kreu
  • Psikoterapi
  • Drita që ndriçon në errësirë – Një letër për “Ty – qe je ne Depresion “

Vendosa t’ia shkruaj këtë letër vetes sime dhe ty. Shpresoj që do ta lexosh kur errësira të vijë në kokën tënde. Errësira që duket si mjegull e zezë që mbulon trurin tënd, dhe të bën të harrosh gjithçka që ti di. Kjo letër e shkurtër është për të të kujtuar ato gjërat që mund të harrosh në këto momente.

Ne të dy e dimë se si është kur errësira, letargjia, pashpresa, dhe vetmia vijnë dhe marrin dritën tonë të brendshme; kur duket si asgjë, dhe njëherazi si gjithçka, Duket sikur një makth i kthyer mbrapsht; nuk dua të zgjohem, por gjithashtu lirohem kur zgjohem. Në atë pikë, ndihem sikur jeta ime do jetë kështu; e errët dhe e vetmuar. Por, ajo errësirë do largohet! Mund të duhen ditë, javë, muaj, por ne do arrijmë të shohim përtej saj dhe ta prekim dritën që mbulon atë.

Të kujtohet atëherë kur më ra furca e kuqe nga dora dhe unë qava aq shumë? Ishte një nga ato ditët e errëta pa energji. Nuk mund të rrija pa e pyetur veten pse me bien aq shpesh gjërat nga dora, pse rrëzohem dhe pse qaj aq shumë? Furca më dukej që ishte shumë larg meje. Nuk e kisha energjinë për t’u përkulur dhe për ta marrë nga dyshemeja. Shumicën e ditëve të mia, ulesha pas dritares së bardhë dhe shikoja jashtë si të mos isha pjesë e kësaj bote. Por, askush nuk ishte i aftë ta shihte këtë gjë. Askush nuk ishte i aftë të kuptonte. Sepse unë buzëqeshja. Një buzëqeshje të ndritur dhe të zhurmshme. Të gjithë mendonin se isha e lumtur, e fortë dhe e fuqishme, por ka disa plagë që nuk mund t’i shfaqim fizikisht sepse janë më të dhimbshme dhe më të errëta se çdo gjë tjetër.

Errësira të bën të humbasësh oreksin, që nuk të jep më energjinë për të luftuar atë. Në ato ditë, të lutem shty veten ta bësh atë. Vendos  një rregull në kokën tënde. Të lutem mos u beso ndjenjave të tua; ndonjëherë ato nuk janë të besueshme. Të premtoj që do e ndiesh dallimin. Kujtoje atë librin e shkurtër që e patëm lexuar nga Andreë Solomon, në një nga kapitujt që përmend:

“Dëgjoji njerëzit që të duan. Beso që ja vlen të jetosh për ta edhe kur nuk e beson. Kërko kujtimet që depresioni i merr me vete dhe projekto ato kujtime në të ardhmen. Ji i guximshëm; ji i forte, merri ilacet e tua. Ushtrohu sepse të bën mirë, edhe nëse çdo hap peshon një mijë kilogram. Ushqehu edhe kur vetë ushqimi ta neverit. Arsyeto me veten kur e ke humbur arsyen tënde.”

E di! Reja e zezë të bën të ndihesh e pavlerë, pa vetebesim, por e ke ti çelësin për të hapur zinxhiret rreth shpirtit tënd. E di që ndihesh e pafuqishme, e pamotivuar, por ti e ke fuqinë brenda teje. E di që do të jesh vetëm, e fshehur nga të gjithë, të ulesh pas dritares së bardhë, por mos e bë. Mendoji gjërat. Jepi vetes një shans. Mos u dorëzo! Dil për një shëtitje, lexo një libër, pikturo, çfarëdo qoftë. Ti meriton shumë më shumë se kaq. Më beso! Jam akoma unë që po të shkruaj.  E di se si ndihesh, dhe e di se çfarë je duke menduar. Sepse kjo që je duke përjetuar t’i kujton të gjitha të metat e tua. Ti je shumë më e guximshme se sa  beson, më e fortë se sa dukesh, dhe ke më shumë kurajo se sa mendon. Ti je e bukur. Ti je e mrekullueshme. Të premtoj që errësira do të largohet; do të kalojë, do vazhdojë tutje. Ti mund ta bësh këtë. Unë e kam bërë, dhe të premtoj që do e bësh edhe ti.

Tregoji dikujt se si ndihesh. Mjaft u fshehe dhe u shtire sikur gjithçka është në rregull. Disa njerëz mund të të ndihmojnë. Nuk ka asgjë për t’u turpëruar. Tregoji dikujt sa e vështirë ka qenë për ty dhe se ke nevojë për forcë. Mos lufto vetëm, sepse nuk je vetëm. Të thyesh heshtjen tënde është forca të cilën je duke e kërkuar. Të heshtësh nuk do të thotë të jesh i fortë; të hapesh me dikë për atë që je duke përjetuar nuk të bën të dobët. Kjo është arsyeja pse është aq e rëndësishme të flasim për shëndetin mendor.

Ndonjëherë do të mendosh se bota do të ishte më mirë sikur të mos ishe ti, sikur të zhdukeshe, por kjo nuk është e vërtetë; është një gënjeshtër. Ti shpesh do mendosh se njerëzit rreth teje do të ishin më të lumtur sikur të mos ishe ti aty. Atëherë, më lejo të të tregoj se si do ishte në qoftë se ti do i jepje fund çdo gjëje. Familja dhe shoqëria jote do të shkatërroheshin. Kjo botë ka nevojë për ty. Cfarëdo që je duke kaluar, ajo nuk është zgjidhja. As tani dhe asnjëherë. Ti u duhesh ; ty të vlerësojnë.

Po, po, e di që je lodhur duke luftuar. E di që ndihesh sikur nuk je e fortë mjaftueshëm. Nuk e di në qoftë se do largohet plotësisht, por ajo çfarë di është se ti ke qëndruar ketu për kaq gjatë. Duhet të jesh krenare me veten. Ti je një heroinë.

Në ato ditë që ndihesh e lodhur nga të luftuarit, të lutem lexo këtë letër; kjo letër është për ty, për mua, për veten. Për të më kujtuar të gjitha ato gjëra që unë i harroj kur errësira kthehet. Sepse ka dritë, dhe ajo nuk largohet kurrë, thjesht mbulohet nga mjegulla. Ti je e dashur, ti je e vlerësuar, ti je e dëshiruar, ti ja vlen, dhe ti je fitimtare!

Me shumë dashuri,

Unë dhe vetja ime

“Letra e mësipërme i dedikohet njerëzve që kanë vështirësi me shqetësimet e shëndetit mendor. Dita Botërore e Shëndetit Mendor këtë vit, më 10 Tetor, na gjen në ndryshime të vazhdueshme për shkak të pandemisë së quajtur COVID-19. Që nga fillimi i vitit 2020, ne jemi përballur me shumë sfida si në nivelet individuale dhe ato shoqërore. Shumë nga ne u bëmë të pasigurt për të ardhmen dhe ankthioz për atë që na pret të nesërmen; të tjerët përjetuan varfëri, frikë, dhe izolim shoqëror edhe më të madh për njerëzit me probleme të shëndetit mendor.

Ne duam të falenderojmë të gjithë ju që jeni duke luftuar me frikërat e juaja. Ne duam t’ua kujtojmë që ne do jemi këtu për ju. Ne duam të ju mësojmë të jeni të sjellshem me mendjen tuaj. Ne duam t’ua kujtojmë që bota ka nevojë për ju. Ne jemi krenar per ju, dhe ju duhet të jeni krenar me veten.”

 

Nga Anna Miraka & Lana Kunstek

Shporta
  • Your cart is empty Browse Shop